E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjedhje edhe natën e Vitit të Ri/ Policia finalizon dy operacione, arrestohen 2 persona në Tiranë e Krujë

Blutë e Tiranës dhe të Krujës kanë arrestuar dy persona të akuzuar për disa vjedhje, një prej tyre dhe natën e Vitit të Ri.  

Në vijim të punës hetimore, të kryer menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve, për vjedhje të pronës/pasurisë së tyre, shërbimet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan në 24 orë, 2 operacione në këtë fushë.

Konkretisht në kuadër të operacionit “Tracking”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 vunë në pranga shtetasin E. M., 46 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur gjatë 2 muajve të fundit, pajisje (me vlerë 6000 euro) në një subjekt, 1 biçikletë, si dhe sende me vlerë dhe shuma parash në një banesë;

Në kuadër të operacionit “Midnight”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin M. F., 20 vjeç, pasi dyshohet se gjatë kësaj jave, ka tentuar të vjedhë kasafortën në supermarketin e një qendre tregtare, si dhe se ka vjedhur në 2 banesa.

Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›