E Martë, 3 Nëntor 2026

“Vjosa n’Fest” në Memaliaj – Festë për artin, natyrën dhe trashëgiminë

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Festivali ”Vjosa n’fest” mblodhi këtë fundjavë qytetarë të shumtë të Memaliajt si dhe vizitorë vendas e të huaj.

Gjatë dy ditëve qyteti i Memaliajt mirëpriti edicionin e katërt të këtij festivali, duke promovuar potencialet e jashtëzakonshme për turizëm të kësaj zone.

Sheshi “Minatori” ishte skena e festivalit folklorik, me pjesëmarrjen e artistëve të shumtë të muzikës popullore të jugut.

Me kostume tradicionale, ritme të pasura dhe emocione, ky festival u bë një dëshmi e gjallë e kulturës popullore dhe pasurisë etnografike.

Në festival ishin të pranishëm edhe këngëtaret Fifi, Anxhela Peristeri, si dhe këngëtari Fjoralb Dedja dhe artistë të tjerë të njohur, të cilët ndezën skenën me performancat e tyre të jashtëzakonshme.

Gjatë dy ditëve të festivalit u organizuan edhe aktivitete të shumta si hipizëm, hiking, rafting, paintball, ekspozita.

Pjesë e festivalit ishte edhe një mbrëmje poetike e mbushur me shumë emocion dhe art në sheshin “Minatori”, ku u mblodhën një pjesë të shkrimtarëve të zonës si Feti Zeneli, Majlinda Nana, Enkelejda Fejzo, Manushaqe Çela dhe Vasil Nasi.

Me vargjet e tyre të ndjera ata sollën reflektime për jetën, dashurinë, vendlindjen dhe shpirtin njerëzor, duke krijuar një atmosferë intime dhe frymëzuese për të gjithë të pranishmit.

Kjo mbrëmje dëshmoi edhe një herë se fjala poetike jeton në zemrën e komunitetit dhe se arti i fjalës vazhdon të ndërtojë ura ndjeshmërie mes brezave.

Një vëmendje të veçantë tërhoqi edhe panairi i Artizanatit dhe Kulinarisë, ku u promovuan produktet tradicionale dhe vlerat kulturore të zonës. Artizanë dhe amvisa nga zona dhe nga qytete të tjera ekspozuan produktet e tyre unike si punime dore veshje, ëmbëlsira dhe gatime të zonës që mbartin shijen dhe historinë e trevës sonë, produkte të zonës etj.

Ky panair jo vetëm që promovoi trashëgiminë kulturore dhe kulinare, por edhe krijoi një atmosferë festive dhe bashkëpunuese mes komunitetit.

Ky festival ka për synim promovimin dhe mbrojtjen e një prej thesareve natyrore më të rralla të vendit tonë, lumin Vjosë. Kjo festë bashkon kulturën tradicionale me ritmet moderne, natyrën me krijimtarinë, dhe njerëzit me Vjosën, lumin e fundit të egër në Europë.

1 nga 15

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›