E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vodhi sende me vlerë në Ksamil, arrestohet 21 vjeçarja italiane

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Një 21-vjeçare italiane është arrestuar pasi vodhi sende me vlerë, në zonën e bulevardit të Ksamilit. Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe 2 bashkëpunëtoret e saj.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të veprimeve për goditjen e krimeve kundër pronës, pas marrjes së njoftimit për një vjedhje të ndodhur në zonën e Ksamilit, zhvilluan një punë hetimore të shpejtë dhe profesionale, e cila bëri të mundur identifikimin e autorëve, si dhe dokumentimin e plotë të gjithë mekanizmit të ngjarjes.

Konkretisht, si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja italiane: M. D., 21 vjeçe. Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 bashkëpunëtoret e saj, shtetase italiane: G. D., 18 vjeçe, G. C., 22 vjeçe.

Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, më datë 21.08.2025, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë kryer vjedhje të sendeve të ndryshme (bizhuteri, parfume dhe suvenire), të vendosura në stenda, në zonën e bulevardit të Ksamilit, me vlerë rreth 150 000 lekë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pjesë e sendeve të vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

/gj.m//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›