Von der Leyen: Dy fabrika të Inteligjencës Artificiale në Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Në forumin e parë të Investimeve EU–WB6 (Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor), që po mbahet në Tiranë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian do të hapë dy fabrika të Inteligjencës Artificiale në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së saj, teksa shpalli iniciativat thelbësore ekonomike të BE-së për rajonin, Von der Leyen tha se do të ngrihen dy fabrika të Inteligjencës Artificiale në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
“10 vjet më parë Evropa po ecte pas pjesës tjetër të botës në garën për fuqi kompjuterike. Kishim vetëm një superkompjuter, në 10 kompjuterat më të mirë globalë, po pastaj kontinenti u mobilizua në tërësi dhe i bëmë superkompjuterat përparësi të mandatit të parë dhe sot kemi 4 superkompjutera, në 10 kryesorët globalisht.
“Pse është e rëndësishme? Sepse ne po i përdorim këto superkompjutera të zhvillojmë zgjidhje evropiane të IA. Po ngremë një rrjet fabrikash të Inteligjencës Artificiale në mbarë Europën. Këto janë vende ku bizneset e startup-et tona mund të zhvillohen e trajnohen dhe po kështu të dislokohen gjeneratat e tyre të ardhshme të modeleve të Inteligjencës Artificiale.
“Do ta nisim me ngritjen e dy fabrikave, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, dhe do ta shtrijmë këtë shtyllë kurrizore digjitale me shpejtësi të lartë në të gjithë rajonin dhe kjo do të lejojë të gjitha kompanitë, në të gjashta vendet partnere në të gjithë rajonin, të lidhen me këto fabrika, që do të thotë, fabrikat tuaja do të kenë mundësi t’i qasen infrastrukturës së Inteligjencës Artificiale evropiane këtu, në rajon. Me fjalë të tjera, fuqia kompjuterike e Unionit do të jetë në shërbimin tuaj, ashtu siç dua që të bëhet e ardhmja e IA, pra të bëhet në Evropë, ashtu dua që edhe Ballkani Perëndimor të jetë në zemër të saj”, tha ajo.
/m.q//a.f//r.e/