E Hënë, 2 Nëntor 2026

Superti: Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si zona ekonomike, përbëjnë 30% të GDP-së së BE

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Valentina Superti, drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore pranë Komisionit Evropian, tha sot se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si zona ekonomike përbëjnë rreth 30% të GDP-së së vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjatë diskutimeve në panelin e parë të Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, Superti u shpreh se ky është një tregues që thekson se ekziston dinamika, potenciali, se ka shumë zhvillime pozitive, por ende mbeten gjëra për t’u bërë.

“Ajo që duam të sigurojmë me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor është objektivi final, që ato t’i bashkohen BE-së. Puna që po bëhet me Planin e Rritjes, për të punuar për një integrim gradual, do të thotë një lehtësim i rrugës drejt anëtarësimit. Kur vjen fjala te sektori privat, është e qartë që kjo është pjesa ku mund të bëhet më shumë punë, më shumë përmirësim dhe ka më shumë potencial”, tha Superti.

Ajo u shpreh se “sektori publik ka nevojë për sektorin privat që të jetë pjesë e kësaj panorame të përgjithshme”.

“Kemi garantuar një përputhshmëri rregullatore, si substancë. Ajo për të cilën ne po flasim është qëndrueshmëria, arritja e standardeve të caktuara, është substanca që përputhet me tregun e përbashkët evropian. Është e rëndësishme për sa i përket parashikueshmërisë së biznesit, sepse kur dihen rregullat, investitorët e kanë të lehtë të investojnë. Por, kemi edhe reformat përmes Planit të Rritjes. Po përdorim stimuj dhe reforma që janë në gjithë spektrin e ekonomisë”, vijoi Superti.

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore pranë Komisionit Evropian nënvizoi se të gjitha këto aspekte, si dhe nxitja e reformave synojnë të përmirësojnë mjedisin e biznesit dhe funksionimin e tij.

“Aksesi në tregun e përbashkët është një tjetër element. Po identifikojmë disa fusha, nisim me SEPA-n dhe po punojmë me elementë që kanë të bëjmë me roaming, t’i paraprijmë aksesit të këtyre elementëve. Të gjitha këto arrihen në partneritet që të jemi në gjendje të përshtatim më mirë politikat tona”, përfundoi Superti.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›