Apeli i Von der Leyen për vendet e rajonit: Të plotësojmë hendeqet në zinxhirin e furnizimit industrial të Evropës

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Nga Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u ndal edhe tek zinxhirët industrialë të vlerës.
Sipas Von der Leyen, është jetike që të ndërtohen më shumë zinxhirë furnizimi dhe kjo punë duhet të nisë në Evropë.
“Vitet e fundit kanë treguar se asnjë industri nuk duhet të mbështetet në një furnizues të vetëm për kontributet kritike dhe të gjithë duhet t’i shmangim ato pengesa, ato ngushti. Ndaj është jetike që të ndërtohen më shumë zinxhirë furnizimi dhe kurdo që është e mundur, kjo punë duhet të nisë këtu në Evropë”, tha Von der Leyen.
Presidentja e KE-së shtoi se “shumë prej projekteve që po diskutoni në këtë forum, mund t’i plotësojnë këto hendeqe në zinxhirët e furnizimit industrial të Evropës. Për shembull, përmes prodhimit të baterive për industrinë automotive, përbërës aktivë për industrinë farmaceutike, tekstile dhe po kështu lista vazhdon. Këto investime krijojnë vende pune e vlerë të shtuar këtu në rajon, por po kështu e bëjnë pjesën tjetër të Evropës më rezistente, më konkurruese. Është në interes të ndërsjellë për ne që t’i integrojmë këto industri lokale strategjike në tregun e përbashkët evropian”.
Ajo vuri në dukje se në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor po ndërtohet një autostradë e tregut të përbashkët. “Synimi është t’i sjellim industritë lokale me zinxhirët kontinentalë të furnizimit. Ta bëjmë këtë me integrimin rregullator e po kështu, me aleanca industriale midis kompanive në rajon e në BE”, tha Von der Leyen.
Presidentja e KE-së, theksoi se të investosh në Ballkanin Perëndimor do të thotë të investosh në një treg të ardhshëm kontinental prej 500 milionë njerëzish.
“Do ta nisim me sektorët parësorë, ku do të duhet të ndjeni dobitë e anëtarësimit në Bashkimin tonë Evropian, edhe para se të bëheni anëtarë. Në të gjitha drejtimet e sektorët, argumenti im është i njëjti: investimi në Ballkanin Perëndimor do të thotë të investosh në një treg të ardhshëm kontinental 500 milionë njerëzish. Ky është mesazhi që duhet të përcjellim dhe mesazhi është që projektet tuaja lokale kanë një përmasë evropiane dhe një bazë klientele evropiane”, shtoi ajo.
Sipas saj, çështja e biznesit është kaq tërheqëse, kthimi i investimit është mjaft premtues për Ballkanin Perëndimor e për të gjithë Europën.
“Për çdo hap që Ballkani Perëndimor hedh drejt Unionit tonë, do të ketë mundësi të reja që shfaqen dhe ju drejtuesit ekzekutivë dhe investuesit që jeni në këtë sallë, keni një rol thelbësor që duhet të luani. Në fakt këndvështrimi juaj është jetik”, deklaroi Presidentja e KE-së nga Tirana.
Von der Leyen e përmbylli fjalën e saj duke theksuar se trajektorja e rajonit është e qartë: e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE-së.
“Në këtë konferencë, më thoni, çfarë ju duhet prej nesh? Që të çkyçim projekte të reja, më thoni: ku i shihni potencialet më të mëdha për rritje? Na thoni ku pikëtakohen përfaqësitë tuaja me tonat, në mënyrë që ne të mund të ecim përpara së bashku, sepse trajektorja e këtij rajoni është e qartë: e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Unioni tonë! Na takon të gjithëve ne që ta bëjmë realitet. Kështu që, faleminderit shumë që jeni këtu sot dhe rroftë Europa!”, tha Von der Leyen.
/m.q//r.e/