Voskopoja në kulmin e sezonit dimëror – Interesi i vizitorëve rritet ndjeshëm gjatë fundjavave me dëborë

Voskopoja është shndërruar edhe këto ditë me borë në një nga destinacionet më të vizituara të juglindjes së vendit, duke tërhequr një numër të madh turistësh vendas. Vizitorët kanë ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe emigrantë që jetojnë në vende evropiane, të cilët kanë zgjedhur këtë zonë për dëborën, natyrën alpine dhe qetësinë që e karakterizon.
Peizazhi dimëror, mikpritja tradicionale dhe gatimet karakteristike të zonës kanë qenë ndër arsyet kryesore që kanë nxitur interesin e turistëve, duke e mbajtur Voskopojën një destinacion të preferuar gjatë sezonit të ftohtë.
“Ndjehemi shumë mirë, atmosfera po ashtu”, u shpreh një turist.
Sipas operatorëve turistikë, që prej datës 23 dhjetor e deri në këtë fundjavë, kapacitetet akomoduese kanë qenë të rezervuara pothuajse plotësisht, si nga vizitorë vendas ashtu edhe të huaj. Me mbi 800 vende akomodimi, Voskopoja mbetet një nga zonat më të përgatitura për të përballuar fluksin turistik gjatë dimrit.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/