Vrasja e 18-vjeçarit në Britani shkakton protesta të dhunshme, plagosen 11 policë

Njëmbëdhjetë oficerë policie mbetën të plagosur gjatë protestave të dhunshme që shpërthyen të martën në mbrëmje në Southampton. Deri tani janë kryer dy arrestime, ndërsa hetimet vijojnë dhe pritet që numri i të ndaluarve të rritet në ditët në vijim.
Sipas Policisë së Hampshire, dhjetëra raketa, fishekzjarrë dhe predha të improvizuara u hodhën në drejtim të efektivëve të pajisur me mjete kundër trazirave, të cilët kishin bllokuar një rrugë pranë zonës ku besohet se banon familja e autorit të dyshuar për vrasjen e Henry Nowak.
Shefi i Policisë së Hampshire, Alexis Boon, dënoi ashpër dhunën e ushtruar ndaj forcave të rendit dhe banorëve të zonës, duke theksuar se protestat kaluan kufijtë e tubimit paqësor.
“Ne e kuptojmë dhe e vlerësojmë si oficerë policie se jemi përgjegjës për veprimet tona. Megjithatë, ajo që kërkojmë është që këto veprime të gjykohen përmes proceseve të drejta dhe transparente. Në këtë rast, ky proces është tashmë në zhvillim e sipër, me IOPC-në që po kryen hetimin e saj të pavarur”, deklaroi Boon.
Ai shtoi se shoqëria nuk mund të pranojë skena të tilla dhune.
“Ajo që ne, si shoqëri, nuk mund ta pranojmë janë skenat e dhunshme që pamë në Southampton mbrëmë. Disa mbërritën qartë me qëllim që të shkaktonin çrregullime dhe telashe. Pamë shishe të hedhura, armë të improvizuara të përdorura, dëme të shkaktuara në shtëpitë dhe automjetet e banorëve të pafajshëm dhe kërcënime e dhunë të drejtuara ndaj oficerëve tanë”, tha ai.
Sipas kreut të policisë, bilanci i incidenteve është i rëndë për forcat e rendit.
“Si rezultat, 11 oficerë dhe një qen policie u plagosën, ndërsa përpiqeshin të bënin punën e tyre për të mbrojtur komunitetet që ne i shërbejmë”, u shpreh Boon.
Ai paralajmëroi se trazira të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në kapacitetet operacionale të policisë dhe largojnë burimet nga qytetarët që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Në fund të reagimit të tij, Boon siguroi banorët se siguria mbetet prioriteti kryesor i policisë dhe se prania e efektivëve në terren do të rritet.
“Ndërsa jemi të detyruar të merremi me ata që janë të vendosur të nxisin frikë dhe përçarje, burimet tona të kufizuara u merren atyre që kanë më shumë nevojë për to. E di sa frikësuese duhet të kenë qenë skenat e natës së kaluar për ata që jetojnë dhe punojnë në zonë. Duhet ta theksoj se kemi ekipe oficerësh me përvojë të jashtëzakonshme që punojnë pa ndërprerje për t’ju mbajtur të sigurt – ky është përparësia jonë absolute. Do të shihni më shumë oficerë duke patrulluar lagjet tuaja gjatë ditëve në vijim dhe ekipet e specializuara të inteligjencës po mbështesin ata që janë në vijën e parë”, përfundoi shefi i Policisë së Hampshire.
Protesta në Mbretërinë e Bashkuar shpërthyen për shkak të vrasjes së studentit 18-vjeçar Henry Nowak. Ngjarja erdhi pas gjyqit të Vickrum Digwa, i cili muajin e kaluar u shpall fajtor për vrasjen e Nowakut.
/rtsh.al/