E Diel, 1 Nëntor 2026

Moska “kujton” vijat e saj të kuqe për përdorimin e armëve bërthamore, ndërsa kërkon stabilizim të marrëdhënieve me SHBA

Rusia ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj integritetit territorial të saj mund të çojë, në skenarin më ekstrem, në përdorimin e armëve bërthamore.

Deklarata u bë nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (SPIEF), ku Moska po riafirmon vijat e saj të kuqe në politikën e sigurisë.

Ryabkov theksoi se kushtet për përdorimin e armëve bërthamore janë të përcaktuara qartë në doktrinën ushtarake të Federatës Ruse dhe në dokumentet që rregullojnë politikën shtetërore për parandalimin bërthamor. 

“Çdo cenim i Rusisë dhe i integritetit të saj territorial nga agresorët, edhe nëse ata nuk zotërojnë armë bërthamore, mund të çojë, në rrethanat më të këqija të mundshme, në një përgjigje nga ana jonë me përdorimin e këtyre mjeteve”, tha ai.

Megjithatë, paralelisht me retorikën e fortë, Ryabkov deklaroi se Moska synon të stabilizojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane. 

“Detyra jonë është të shfrytëzojmë periudhën deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale për të çuar përpara marrëdhëniet me SHBA-në, për t’i stabilizuar ato dhe për t’i rikthyer në normalitet”, u shpreh ai. 

Sipas tij, Rusia dëshiron që progresi i arritur të jetë “jashtëzakonisht i vështirë të kthehet mbrapsht” në të ardhmen.

Më herët, këshilltari për politikën e jashtme i presidentit rus, Yuri Ushakov, njoftoi se një delegacion amerikan do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut për herë të parë pas disa vitesh.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›