Vrasja e biznesmenit në Elbasan-Pjetra: Pendesa e autorëve mund të zbardhë ngjarjen. Topalli: Targa e vjedhur, gabimi që mund të çojë në kapjen e vrasësve

Në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1 është trajtuar vrasja e biznesmenit Mond Mëhalla alias Edmond Hyka mbrëmjen e djeshme në Elbasan.
Duke folur për këtë ngjarje të rëndë, avokati Ndue Pjetra theksoi se kjo ngjarje mund të zbardhet vetëm nga pendesa e një prej autorëve.
Sipas tij, kjo ngjarje nuk ka një mesazh të caktuar pasi në këtë rast kemi të bëjmë me vrasje.
“Vrasja me pagesë është vetëm vrasje dhe nuk ka asgjë tjetër. Nuk është mesazh vrasja, vrasja është mesazh për grupin ose këto hedhjet në erë janë mesazhe që janë sinjalizuese, vrasja është ekzekutim, nuk ka si me qenë vrasja paralajmërim”, tha Pjetra, ndërsa i pyetur nga moderatori Flori Gjini se vetëm pendesa është ajo që mund të zbulojë autorët, Pjetra tha se “vetëm pendesa se mund ta hetojë policia, prokuroria…”.
Ai vuri në dukje se ngjarja është e vështirë të zbulohet pas djegies së automjetit.
“Pas djegies së automjetit është shumë e vështirë sepse vrasjet me pagesë po përdoren nga një rreth në një rreth tjetër. Fytyrat dhe pozicionet nuk i njeh asnjë njeri në atë rreth. Për shembull nëse do të bëjnë një vrasje që do të bëjnë në Vlorë mund t’i marrin nga Shkodra, mund t’i marrin nga Elbasani… Në atë moment në ato pamje filmike nuk ta njeh asnjë njeri”, u shpreh më tej avokati Pjetra.
Nga ana e saj, gazetarja Aida Topalli tha gjithashtu se gjetja e armës dhe vetë automjeti i djegur nuk ndihmon në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Sipas saj, i vetmi gabim që mund të rezultojë fatal për autorët është vjedhja e targës.
“Është gjetur një armë e tipit “Bereta”. Si nga të rrallat ngjarje, kjo ngjarje nuk është bërë me armë të gjata me kallashnikov, ashtu sikurse e kemi parë në ngjarjet e fundit. Vrasja është bërë me armë “Bereta” në një distancë shumë të afërt. Pra, duke shkuar te xhami i automjetit, i maskuar ashtu sikurse edhe u raportua. Edhe gjetja e armës në automjet dhe automjeti nuk e ndihmon grupin hetimor për të shkuar te vrasja me pagesë. Unë e shoh targën e vjedhur si një gabim fatal për ata të cilët kanë organizuar nga vjedhja e targës, vjedhja e automjetit. Mund të jetë një gabim që mund të çojë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, tha ajo.
/rtsh.al/