Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, OSBE: Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës

Prezenca e OSBE në Tiranë ka dënuar me forcë aktin e rëndë të ndodhur ditën e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja dhe mbetën të plagosur babë dhe bir.
Me anë të një reagimi OSBE thekson se sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Reagimi i plotë:
Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.
Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.