E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja-Reagon ministrja Koçiu: Akt barbar

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosjes së dy qytetarëve brenda sallës së gjykatës sot rreth orës 15:00.

Në një deklaratë zyrtare, ajo shprehu tronditjen e thellë dhe ka kwrkuar dënimin e fortë ndaj këtij “akti barbar”.

 “Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve”, tha Koçiu.

Ministrja sqaroi rolin e Policisë së Shtetit në këtë incident, duke theksuar se përgjegjësia ligjore për sigurinë brenda godinave të gjykatave nuk i takon forcave të rendit.

“Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje,” deklaroi ajo.

Sipas saj, Policia ka ndaluar menjëherë autorin e dyshuar, i cili akuzohet se hapi zjarr gjatë seancës gjyqësore.

Koçiu njoftoi gjithashtu se janë angazhuar ekspertët më të mirë për të bashkëpunuar me prokurorët në hetimin e plotë të ngjarjes.

“Kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të kqyrur, në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës,” shtoi ajo, duke premtuar një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje tragjike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›