E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja- Gjykata Kushtetuese: Akt i rëndë, sulm ndaj shtetit të së drejtës

Gjykata Kushtetuese ka reaguar për ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, e ndodhur sot rreth orës 15:00 brenda ambienteve të gjykatës në Tiranë.

Në komunikatën e saj, Gjykata nderon kujtimin e magjistratit, ku thekson se ai shërbeu me përkushtim dhe dinjitet.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen më të thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja,” thuhet në deklaratë.

Gjykata përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij, duke vlerësuar kontributin e tij në sistemin e drejtësisë.

“Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm për individin, por edhe për vetë parimet e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës,” theksohet më tej.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se mbrojtja e jetës, sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi dhe publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit.

“Mbrojtja e së drejtës së jetës, sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve, qytetarëve që kërkojnë drejtësi në këto gjykata dhe e publikut të zakonshëm është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit, që kërkon veprim të menjëhershëm, të vendosur dhe të qëndrueshëm,” thuhet më tej në deklaratë.

Ajo nënvizon se mbrojtja e gjyqtarëve është sinonim i mbrojtjes së pavarësisë së drejtësisë dhe besimit të publikut tek institucionet shtetërore.

“Në këto momente të dhimbshme, Gjykata Kushtetuese shpreh solidaritetin e saj me familjen e të ndjerit, kolegët e tij dhe të gjithë ata që po përballen me këtë humbje. Gjykata Kushtetuese qëndron pranë familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë atyre që po përballen me këtë humbje, duke riafirmuar vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin e gjyqësorit si shtyllë themelore e rendit kushtetues,” thuhet në deklaratën për shtyp.  

Gjykata u uroi gjithashtu shërim të shpejtë dy qytetarëve të plagosur në ngjarjen e sotme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›