E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, ministri Lamallari: Të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje. Drejtësia nuk frikësohet!

“Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare,” reagoi të hënën ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Reagimi i tij erdhi pas aktit të rëndë kriminal që rezultoi me vdekjen e gjyqtarit Kalaja, viktimë e një të pandehuri të cilit ai po i shqyrtonte edhe një çështje pronësie deri në minutat e fundit të jetës.

“Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim. Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cenojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri,” theksoi ministri Lamallari.

Ndërkohë që vendi po përgatitet për një Kod të Ri Penal, ministri Lamallari shtoi se duke marrë shkas nga ngjarja e fundit, dënimet për armëmbajtjen pa leje duhen ashpërsuar më shumë, paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata.

“Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot. Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë,” nënvizoi ministri i Drejtësisë në një deklaratë për shtyp.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›