Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Spiropali dënon glorifikimin e vrasësit: Shqipëria e vërtetë është respekt dhe dinjitet

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në sistemin e drejtësisë. Në lidhje me këtë ngjarje, Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi lidhur me komentet e bëra mbi këtë ngjarje në media dhe rrjete sociale, duke dënuar glorifikimin e vrasësit dhe komentet ofenduese ndaj viktimës.
“Jashtëzakonisht tronditëse përpjekja e këtyre ditëve për të glorifikuar aktin barbar të vrasjes së gjyqtarit Kalaja përmes një serie publikimesh në media, pasuar nga një lum komentesh të neveritshme në adresë të viktimës. Po aq indinjuese është edhe tentativa për të justifikuar vrasësin për veprimin ekstrem që mori një jetë njeriu dhe lëndoi dy të tjerë.
Urrejtja mbi viktimat dhe lartësimi i agresorëve duke shfrytëzuar lirinë për të shkruar e komentuar në hapësirën digjitale, nuk mund të jetë kurrsesi Shqipëria Europiane,” deklaroi Spiropali.
Ministrja theksoi se urrejtja ndaj viktimave dhe lartësimi i agresorëve janë fenomene që nuk përfaqësojnë vlerat e një shoqërie europiane.
“Ndërkohë që me BE-në po negociojmë për t’iu afruar përherë e më shumë standardeve të medias e etikës demokratike europiane, nevojitet një ndërgjegjësim dhe reflektim i plotë për masat e ardhshme ligjore që mbrojnë dinjitetin e individit, po aq sa edhe lirinë e shprehjes.
Publikimet e paverifikuara mbi protagonizmin vrastar dhe vala e komenteve baltosëse në rrjetet sociale mbi viktimën nuk mund të jetë kurrsesi fytyra e shoqërisë shqiptare. Shqipëria e vërtetë është shumë më shumë se kaq; është vlerë, është respekt, është dinjitet!”, shkruan Spiropali.
Ngjarja tronditëse ndodhi dy ditë më parë, kur gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, në sallën e gjykatës së Apelit pasi dha vendimin në interes të palës tjetër, lidhur me një konflikt pronësie në Shkodër. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë (babë e bir), të cilët ishin pala në çështjen e pronësisë.
/rtsh.al/