Vrasja e gjyqtarit-Gazment Bardhi: Ngjarja më tronditëse në historinë 35-vjeçare të demokracisë shqiptare

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka shkaktuar një valë reagimesh të forta në politikën shqiptare.
Kwshtu, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka dalë me një deklaratë të ashpër, duke e cilësuar këtë ngjarje si “tronditëse dhe të paprecedentë” në historinë 35-vjeçare të demokracisë shqiptare.
Në reagimin e tij, Bardhi shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, komunitetin e gjyqtarëve dhe të gjithë profesionistëve të drejtësisë.
“Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, komunitetit të gjyqtarëve dhe profesionistëve të drejtësisë, apeloj që autori i këtij akti shokues të marrë dënimin maksimal të parashikuar nga ligji”, tha ai.
Sipas Bardhit, vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore, “që ka nisur nga sulmet e hapura të kryeministrit ndaj gjyqtarëve/prokurorëve për vendimet që nuk i pëlqejnë, nuk ka vend në një shoqëri demokratike”.
“Sot është dita për të theksuar me zë të lartë që vetëgjyqësia ndaj vendimeve gjyqësore, që ka nisur nga sulmet e hapura të Kryeministrit ndaj gjyqtarëve/prokurorëve për vendimet që nuk i pëlqejnë, nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Nxitja për vetëgjyqësi është po aq e dënueshme sa edhe vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës”, deklaroi ai.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së theksoi më tej se “ky është rasti i parë në historinë e 35 viteve ku një gjyqtar qëllohet në krye të detyrës vetëm se guxon të jap vendim sipas bindjes së tij dhe ligjit. Për pasojë, sot është dita për një reflektim të thellë nga e gjithë shoqëria shqiptare” shtoi Bardhi.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe të ministres së Brendshme, Albana Koçiu.
“Kjo është ngjarja më e rëndë në 35 vite demokraci. Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari dhe ministri i Brendshëm Albana Koçiu, që janë titullarët e institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë në gjykata, duhet të japin urgjentisht dorëheqjen, si akt përgjegjshmërie për dështimin në garantimin e sigurisë së profesionistëve të drejtësisë në vendin e tyre të punës”, deklaroi Bardhi.
Bardhi theksoi nevojën për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Një gjyqtar/prokuror në detyrë nuk mund të cënohet për shkak të ushtrimit të detyrës. Kjo do pamundësonte ushtrimin e lirë dhe pa frikë prej tyre të detyrës së shenjtë të dhënies së drejtësisë”, tha ai.
/rtsh.al/