Vrasja e postierit në Kamëz, Eduart Lami para hetuesve: Nuk kisha konflikte me viktimën dhe familjen Visha

Eduart Lami i arrestuar më 25 janar, për armëmbajtje pa leje dhe i dyshuar për vrasjen e Lulzim Vishës, ka deklaruar para hetuesve se nuk ka pasur konflikt me familjen Visha.
Lulzim Visha u ekzekutua më 24 janar në Zall Mner të Tiranës. Ai u qëllua me breshëri arme rreth 200 metra larg banesës së tij, ndërsa ishte nisur për në punë.
Disa orë pas krimit, policia gjeti një makinë tip “Porsche” të djegur në fshatin Zgafnor, i dyshuar i përdorur nga autorët e ngjarjes.
Brenda automjetit u gjet edhe një armë zjarri e dyshuar si arma e përdorur nga autorët.
Policia është në pritje të përgjigjes nga Policia Shkencore në lidhje me gëzhojat e gjetura në vendngjarje ku u ekzekutua 48-vjeçari.
Pritet që laboratori i policisë të përcaktojë nëse gëzhojat janë qitur nga arma e gjetur brenda automjetit të djegur tip “Porsche”.
Ndërkohë në laborator është dërguar edhe arma e gjetur në banesën e familjes Lami për të parë nëse është përdorur në krim apo jo.
Mësohet se policia kishte dijeni që mes familjes Visha dhe asaj Lami kishin patur konflikte fizike para pak kohësh, por nuk është marrë asnjë masë.
Policia arrestoi Eduart Lamin, ndërsa shpalli në kërkim kushëririn e tij Ervis Lami, 31 vjeç, pasi në banesën e dy kushërinjve u gjet një automatik me silenciator./vizionplus.tv