E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau gruan me armë gjahu, Gjykata e Shkodrës lë në burg 64-vjeçarin! Asnjë fjalë në seancë

Gjykata e Shkodrës ka lënë në qeli 64-vjeçarin, Shtjefën Ziçi i cili vrau me armë gjahu bashkëshorten e tij 55-vjeçare, Bardhe. Ziçi nuk ka folur asnjë fjalë para trupit gjykues, ndërsa avokati i tij Agim Martini ka kërkuar ekspertimin psikik të klientit të tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës. Pas debatit në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari mori armën e gjahut dhe qëlloi ndaj bashkëshortes në pragun e shtëpisë. Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Grupi hetimor ka dyshime se 64-vjeçari e vrau bashkëshorten për motive xhelozie. Sipas hetimeve, ai i ka kërkuar bashkëshortes telefonin celular, çka ka sjellë një debat mes tyre. Pak çaste më vonë, është futur në banesë, ka marrë çiften që e posedonte me leje dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza shërben si oficere në repartin ushtarak të Vau Dejës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›