Vriten dy izraelitë në Uashington, autori,një radikal i majtë, pas arrestimit: Çlironi Palestinën

Dy të rinj, punonjës të ambasadës izraelite në SHBA janë qëlluar për vdekje me armë në Uashington.
Ngjarja ndodhi pas mesnate, teksa anëtarët e stafit të ambasadës po dilnin nga një aktivitet në Muzeun Hebraik në kryeqytet.
Autori i dyshuar është vënë tashmë në pranga ndërsa po hetohet për sqarimin e plotë të rrethanave.
Sipas policisë, i dyshuari është identifikuar si Elias Rodriguez, 30-vjeç, nga Çikago.
Ai nuk kishte precedent të mëparshëm penal, por sipas të dhënave të deritanishme, sulmi ishte i paramenduar dhe lidhet me motivet e antisemitizmit pasi teksa arrestohej, autori bëri thirrje për Palestinën e lirë.
Sipas informacioneve nga mediat sociale, 30-vjeçari kishte marrë pjesë në demonstrata pro Gazës dhe njihej si një radikal i majtë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu reagoi i tronditur, ndërsa presidenti Donald Trump tha se në SHBA nuk ka vend për urrejtje.
“Këto vrasje të tmerrshme, të bazuara dukshëm në antisemitizëm, duhet të marrin fund, TANI! Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA. Ngushëllime familjeve të viktimave. Sa e trishtueshme që mund të ndodhin gjëra të tilla!”, tha Trump.
Liderë të tjerë nga SHBA e Europa kanë reaguar gjithashtu duke dënuar sulmi.
Vrasja e dyfishtë, vjen në një kohë që Izraeli po shtyn përpara planin për pushtimin e plotë të Gazës dhe zhvendosjen e popullsisë, gjë që ka nxitur edhe reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.