E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet polici, plagoset një tjetër, ngjarja në Lozhan të Korçës, autori i dënuar me 10 vite burg

Një ish-ushtarak profesionist dhe njohës i armëve. Ky është 43-vjeçari Violand Braçellari, autori i ngjarjes së rëndë në fshatin Lozhan të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Makolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri.

Rreth orës 07:30, forcat e policisë ndërmorën një operacion për kapjen e Violand Braçellarit, i shpallur në kërkim prej vitesh. Sipas policisë, 43-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe hapi zjarr ndaj efektivëve.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Enea Makolli, 34 vjeç, u godit nga një plumb në kokë dhe humbi jetën. Ndërkohë, Edison Adri, 36 vjeç, mbeti i plagosur rëndë.

Ai u transportua me helikopter drejt Tiranës, pasi plumbi e goditi në anën e majtë të fytyrës, duke i dëmtuar edhe nofullën. Policia bën me dije se efektivët iu kundërpërgjigjën me armë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit  autori mbeti i plagosur dhe më pas u vu në pranga.

Violand Braçellari ishte prej kohësh në arrati. Në vitin 2011, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, ndërsa në vitin 2017 u dënua me 10 vite burg për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Megjithatë, ai nuk vuajti asnjë ditë dënim, pasi arriti t’i fshihej drejtësisë.

Dyshohet se gjatë gjithë këtyre viteve qëndroi i fshehur mes zonës së Lozhanit, ku kishte banesën, dhe malësisë së Lekasit në Korçë.

RTSH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›