Wallpaper-i i telefonit të Trump bëhet sërish viral në internet, një “lëvizje klasike” e presidentit

Fotot e fundit të Donald Trump-it duke zbritur nga Air Force One kanë ndezur rrjetet sociale, por këtë herë jo për ndonjë deklaratë politike apo zhvillim madhor, por për wallpaper-in e telefonit të tij. Në pamjet që po qarkullojnë në internet, shihet qartë se sfondi i telefonit të Trump është një foto e vetë Presidentit, duke bërë gjestin e tij të njohur me gisht, në stilin e posterëve të vjetër të rekrutimit ushtarak.
Kjo zgjedhje ka shkaktuar një valë komentesh ironike dhe analiza të stilit “psikologji nga interneti”, ku shumë përdorues në rrjetet sociale e kanë cilësuar këtë si një tjetër shenjë e narcisizmit të Trump-it. Ata theksojnë se, ndonëse ka një familje të madhe me pesë fëmijë dhe 11 nipër e mbesa ai ka zgjedhur që të shfaqë vetveten në ekranin e telefonit, në vend të ndonjë prej tyre.

Ajo që e bën edhe më interesante këtë histori është fakti se kjo foto është përdorur prej vitesh si wallpaper-i i tij, që nga viti 2019. Sipas raportimeve të Gizmodo, imazhi daton nga periudha kur Trump ishte në qendër të kritikave për politikën e ndarjes së fëmijëve migrantë nga prindërit në kufi. Disa komentues sugjerojnë se ndoshta bëhet fjalë për një moment “sentimental”, por shumica mendojnë se është një zgjedhje që i përshtatet karakterit të tij.
Ndërkohë, raportime të fundit nga The Atlantic ngrejnë shqetësime më serioze për mënyrën si Trump përdor telefonin, përfshirë faktin që shpesh i përgjigjet numrave të panjohur dhe ka qenë viktimë e disa mashtrimeve. Kombinimi mes pasionit të tij për telefonin dhe përdorimit të pakontrolluar të rrjeteve sociale po shihet gjithnjë e më shumë si një problem sigurie, ndërsa wallpaper-i i pazakontë mbetet thjesht një detaj simbolik në një panoramë më të madhe.
/vizionplus.tv
