Xhafaj: Nisma për Evropën Qendrore, ndihmë e përbashkët në procesin e integrimit

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Në kuadër të Presidencës së Shqipërisë të Nismës për Evropën Qendrore (CEI) 2024, ditën e sotme u zhvillua në Tiranë, takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve të Nismës për Evropën Qendrore.
Kuvendi i Shqipërisë u përfaqësua nga Etjen Xhafaj, kryetar i delegacionit të përhershëm të Kuvendit në CEI dhe President i Dimensionit Parlamentar të CEI.
Xhafaj, në nisje të fjalës së tij, falënderoi MEPJ për ftesën në ketë takim të rëndësishëm si dhe për suportin e ofruar përgjatë Presidencës së Kuvendit të Shqipërisë për Dimensionin Parlamentar të CEI.
“Agjenda e presidencës shqiptare mund të konsiderohet ambicioze në kushtet e ndryshimeve të fundit në arenën ndërkombëtare, por në 2 aktivitetet e organizuara nga Kuvendi i Shqipërisë, përkatësisht Takimi i Komisionit Parlamentar të dimensionit parlamentar të CEI në qershor 2024 si dhe të Asamblesë Parlamentare të CEI në shtator 2024, u konfirmua edhe njëherë se CEI si organizatë shërben si një platforme e shkëlqyer dialogu, përmes së cilës shkëmbejmë eksperiencë dhe marrim ndihmë të përbashkët në procesin e integrimit, i cili kriteret teknike i ka ndonjëherë më komplekse sesa kriteret politike. Ne këtë perspektivë miratimi i Konventës për forcimin e rolit të CEI dhe ngritja e një zyre të CEI në Bruksel do të na japë mundësinë për marrjen e informacioneve nga terreni”, theksoi Xhafaj.
Po ashtu, në cilësinë e Presidentit në detyrë për Dimensionin Parlamentar të CEI, ai theksoi se vendet anëtare mund të vlerësojnë angazhimin për ndërtimin e projekteve të reja në këtë platformë të përbashkët të sigurisë dhe ekonomisë.
“Asambleja Parlamentare e Nismës së Evropës Qendrore, me anë të dokumenteve të miratuara unanimisht në Korrik dhe Shtator në Tirane, tregoi se qëllimet e përbashkëta në avancimin e bashkëpunimit në funksion të procesit të anëtarësimit në BE, janë baza kryesore në shumë nivele e sektorë, për të sjellë më shumë siguri, zhvillim dhe mirëqenie për të gjitha vendet anëtare”, tha Xhafaj.
“Kjo tryezë që sjell bashkë disa vende anëtare dhe shumicën e vendeve aspirante për anëtarësim në BE duhet të zgjerohet dhe te angazhohet si një zë në shumë në favor të zgjerimit në Bruksel, por edhe për të sjellë koordinim për projekte e platforma të përbashkëta në ekonomi, infrastrukturë dhe koordinim për sigurinë e përbashkët”, përfundoi fjalën Xhafaj. /j.p/