E Enjte, 5 Nëntor 2026

Xhaferaj: 2024-a, një vit tejet i vështirë për Policinë e Shtetit

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Feridnand Xhaferaj gjatë prezantimit të pr/buxhetit 2025 të Policisë së Shtetit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, u shpreh se, 2024-a është një vit tejet i vështirë për Policinë e Shtetit.

“Ju theksuat misionin kryesor të policisë, që qëndron për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, sikundër dhe për garantimin e jetës dhe të sigurisë së qytetarëve. Nëse ne si Komision Sigurie do të konstatonim që kemi një organizatë policie që është krejtësisht e motivuar për të realizuar këto prioritete, në mënyrë të padiskutueshme do të kishit mbështetje maksimale nga ne. Por kur konstatojmë të kundërtën ne si Komision për këtë qëndrojmë për t’iu mbikëqyrur”, iu drejtua ai Prodës.

“Më vjen keq që në fjalën tuaj pashë një prezantim rutinë sikur viti që po lëmë pas, viti 2024, është një vit i zakonshëm për Policinë e Shtetit. Nuk është i tillë. Ky vit ka ekspozuar shumë probleme që ju duhet të kishit kurajën për të thënë që gjeta këto probleme dhe këto probleme të rënda. Me buxhetin e vitit 2025 ne përpiqemi t’i lehtësojmë në këtë mënyrë”, tha Xhaferaj.

“Situata e rendit publik dhe sigurisë rrugore gjatë vitit 2024 degradoi shumë keq. Evidencat e sjella dhe nga ju tregojnë që aksidentet rrugore kanë ekspozuar shifra të frikshme dhe në verën e vitit 2024, krahasuar me verën e vitit 2023 kemi 288 aksidente më shumë. Do të ishte mirë që përveç të tjerave të dëgjonim nga ju sesi buxheti i vitit 2025 mendon të fillojë të lehtësojë këtë problematikë”, tha Xhaferaj..

“Kush ka qenë situata e rendit publik. Në një javë gjatë muajit gusht kemi pasur 7 viktima. Po kujtoj këtu rastin e Shkodrës, rastin e Memaliajt që nga mënyra sesi kanë ndodhur ngjarjet kriminale na përcjellin mesazhin shumë trishtues që krimi nuk e ka frikë policinë. Krimi del me arrogancë dhe vret në qendër të Shkodrës. Krimi shkon dhe vret në qendër të Memaliajt dhe kjo është një problematikë sesi mendon Policia e Shtetit që në vitin 2025 ta fillojë ta lehtësojë këtë problematikë”.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›