E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhixho: Ekonomia shqiptare mbahet në këmbë nga paratë e pista, jo nga puna dhe prodhimi

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë se ka ndërtuar një model ekonomik të bazuar te pastrimi i parave dhe jo te ekonomia reale, duke deklaruar se Shqipëria po përballet me një deformim të rrezikshëm të tregut dhe të zhvillimit ekonomik.

Në një deklaratë publike, Xhixho tha se ekonomia shqiptare nuk mbahet më nga puna, prodhimi apo sipërmarrja e ndershme, por nga paratë e pista që, sipas saj, janë investuar kryesisht në sektorin e ndërtimit.

“Për vite me radhë, narkoqeveria ka ndërtuar një model ekonomik që favorizon pastrimin e parave dhe godet punën e ndershme. Miliona metra katrorë beton janë ngritur me para që nuk burojnë nga ekonomia reale”, deklaroi ajo.

Xhixho tha se çmimet e larta të apartamenteve janë bërë të papërballueshme për familjet shqiptare, duke argumentuar se tregu i pasurive të paluajtshme është deformuar.

Sipas saj, apartamentet që shiten me qindra mijëra euro nuk përputhen me nivelin e të ardhurave të qytetarëve, ndërsa paga mesatare mbetet shumë më e ulët.

“Një familjeje të re i duhet një jetë e tërë pune për të siguruar një banesë”, u shpreh ajo.

Zv. presidentja e Partisë së Lirisë deklaroi se rënia e euros është shoqëruar me rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe goditjen e sektorëve prodhues.

Ajo tha se bujqësia, fasoneria dhe sipërmarrjet eksportuese po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të kursit të këmbimit.

Sipas Xhixhos, qindra biznese po mbyllin aktivitetin dhe mijëra vende pune po humbasin.

Xhixho iu referua edhe sekuestrimeve të fundit të pasurive dhe parave, duke deklaruar se shuma prej rreth 300 milionë eurosh tregon nivelin e infiltrimit të parasë kriminale në ekonomi.

Ajo pretendoi se investimet strategjike dhe projektet e mëdha në sektorin e ndërtimit dhe turizmit janë shndërruar në mekanizma të pastrimit të parave.

“Nën etiketën e investimeve strategjike, projekte me vlerë miliarda euro janë kthyer në mekanizma të pastrimit të parave të pista”, deklaroi ajo.

Në deklaratën e saj, Xhixho akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë se kanë ndërtuar një model ekonomik që favorizon krimin dhe oligarkinë.

Ajo tha se ndërtimet luksoze, resortet dhe projektet e mëdha po zhvillohen në kurriz të prodhimit vendas, fermerëve dhe sipërmarrjeve të ndershme.

Sipas saj, emigracioni masiv dhe largimi i të rinjve janë pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj situate ekonomike.

Zv. presidentja e Partisë së Lirisë deklaroi se protestat qytetare që po zhvillohen në vend lidhen me pakënaqësitë ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Ajo u shpreh se të rinjtë që marrin pjesë në protesta kërkojnë një vend ku, sipas saj, të shpërblehet puna dhe ndershmëria.

“Shqipëria nuk mund të ketë të ardhme mbi ekonominë e parasë së pistë, mbi pastrimin e parave dhe mbi shkatërrimin e prodhimit vendas”, deklaroi Xhixho.

Në përfundim të deklaratës së saj, ajo theksoi se ndryshimi politik është i domosdoshëm për të mbrojtur ekonominë, demokracinë dhe të ardhmen e vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›