Xhixho: Mungesë transparence për ujin e ndotur te Komuna e Parisit

TIRANË, 12 prill /ATSH/ Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar pas raportimeve në adresë të saj lidhur me furnizimin me ujë të ndotur në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë.
Xhixho nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan se banorë të shumtë të zonës “së Komunës së Parisit më kanë shkruar gjatë orëve të fundit për furnizimin me ujë të papërdorshëm, me ngjyrë dhe erë”.
Sipas Xhixhos banorëve për më shumë se 24 orë nuk iu është dhënë asnjë shpjegim në lidhje me shkakun e ndotjes së ujit “duke krijuar alarm dhe panik, pa folur për pamundësinë për të përdorur ujin, qoftë edhe për pastrimin e shtëpisë”.
“Është e patolerueshme mungesa e transparencës nga autoritetet për një situatë të tillë”, shkruan Xhixho.
“Është ironike sesi kjo situatë ndodh pikërisht në ditën kur çel fushatën partia që 12 vite më parë u premtoi qytetarëve ujë 24 orë”, nënvizoi më tej Xhixho.
Sipas Xhixhos “qeveria e mashtrimeve duhet të ikë. Më 11 maj, zgjidhja është vota për Aleancën për Shqipërinë Madhështore”.
/a.f/