E Diel, 1 Nëntor 2026

Yzeiraj: Sistemet e taksave përgatiten për t’u lidhur me rrjetin europian

TIRANË, 9 prill/ATSH/ Shqipëria po përgatit sistemet e saj të deklarimit dhe regjistrimit të taksave për t’i lidhur me sistemet europiane.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, u shpreh në një intervistë për media se qëllimi është që vendi të bëhet pjesë e regjistrit europian të deklarimeve.

“Sistemet digjitale që përdoren nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të jenë të afta të komunikojnë me sistemet europiane, pasi në të ardhmen do të bëhen pjesë e sistemit digjital europian. Të ardhurat dhe treguesit tanë duhet të jenë të ngjashëm dhe të krahasueshëm me ato të vendeve të tjera”, theksoi ai.

Ky proces prek edhe sistemin e doganave.

Sipas Yzeirajt, legjislacioni kryesor që duhet të përafrohet është Kodi Doganor. Edhe pse në përgjithësi është i përafruar me atë europian, ka ende disa boshllëqe që duhen plotësuar, sidomos në aspektin e sistemeve, në kuadër të Kapitullit 29.

“Legjislacioni kryesor që duhet të përafrojmë është Kodi Doganor, i cili në vija të përgjithshme është i përafruar, por ende ka disa boshllëqe që duhen plotësuar. Në Kapitullin 29, detyrimet tona kryesore lidhen pikërisht me sistemet”, u shpreh Yzeiraj.

Ai përmendi gjithashtu disa nga sistemet që po përgatiten.

“Ndër to është Dritarja e Vetme Kombëtare, ku 14 institucione, si AKU dhe inspektorate të ndryshme, japin licenca për kompanitë që importojnë apo eksportojnë në vend. Tashmë, këto kompani do të kenë një pikë të vetme për aplikimet e tyre, dhe jo më 14 institucione të ndryshme.”

Një tjetër projekt është sistemi kombëtar i tranzitit.

“Përmes tij, të gjitha kompanitë që transportojnë mallra tranzit në Shqipëri do të monitorohen elektronikisht”, u shpreh zv/ministri.

Ky sistem do të zbatohet edhe për ngarkesat në tranzit.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›