E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhet i plotë vendimi i Apelit: Salianji mund të ankimojë dënimin në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve

Është zbardhur i plotë vendimi i Gjyaktës së Apelit, e cila ditën e djeshme la në fuqi dënimin e Shkallës së Parë me një vit burgim për deputetin demokrat, Ervin Salianji. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

Në shkresë thuhet se Apeli la në fuqi dënimin e datës 18 dhjetor 2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

“Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm me vendimin penal Nr. 2059 (30-2024-6822), datë 26.09.2024

VENDOSI:

-Mospranimin e ankimit të ushtruar nga i pandehuri Fredi Alizoti, ndaj vendimit Nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

-Lënien në fuqi të vendimit Nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot më datë 26.09.2024”, thuhet në vendimin e plotë të Gjykatës së Apelit.

Trupa gjykuese përbëhej nga Iliba Bezati, Genti Shala dhe Elona Toro.

Salianji akuzohet për “kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babale”. Në vitin 2018 PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.

Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti.

Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio s’është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.

Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg.

Albert Veliu akuzohet për veprat penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Kallëzim i rremë”.

Fredi Alizoti akuzohet për veprën penale “Kallëzim i rremë”. Edhe Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji akuzohen për të njëjtën vepër” Kallëzim i rremë”./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›