E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet vrasja e biznesmenit në Elbasan, dy në pranga, dy në kërkim si autorë të dyshuar

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Policia e Elbasanit në bashkëpunim me prokurorinë, njoftoi sot se pas hetimeve të thelluara, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla, alias Edmond Hyka, mbrëmjen e 30 nëntorit në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan.

Në kuadër të hetimeve, sipas njoftimit të policisë u vunë në pranga shtetasit “Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”; K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Gjithashtu policia bëri të ditur se janë shpallur në kërkim dy persona si autor të dyshuar të vrasjes.

Po ashtu, policia njoftoi se u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore, sipas policisë, “rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.”.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

43-vjeçari Mondi Mëhalla, i njohur dhe si Edmond Hyka, u qëllua me dy plumba në kokë brenda në makinë e tij tip “Range Rover”, pasi doli nga biznesi i tij.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›