E Premte, 6 Nëntor 2026

Zbardhja e vendimit të Apelit për Salianjin, PD: Tregon se dënimi është politik, jo legal

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti thotë se vendimi i gjykatës së Apelit për të dënuar me 1 vit burg ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji, është i mirëfillte një vendim politik dhe jo legal.

“Vetë fakti që, pas dënimit të Salianji u shpreh dhe kryeministri i cili e mbështeti këtë dënim politik për Salianji tregon që e gjithë kjo çështje është një dënim i mirëfilltë politik”- tha Alizoti

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Alizoti tha se gjykata vonoi zbardhjen e vendimit.

“Pas 50 ditësh, kur afati ligjor parashikonte 30 ditë për të burgosurin politik, Ervin Salianji, i cili është opozitar që nuk ka konsumuar asnjë ditë pushtet, nuk ka menaxhuar asnjëherë pushtet dhe sot gjendet në burgjet e Shqipërisë, së bashku me njerëz të inkriminuar, dhe me njerëz që e kanë dëmtuar këtë vend dhe e kanë shkatërruar këtë vend gjykatave do t’iu duheshin bash 50 ditë për të shpallur vendimin e saj, kur ligji e parashikonte 30 ditë”- tha Alizoti.

Sipas Alizotit, është rasti i parë në Republikën e Shqipërisë që një njeri dënohet për kallëzim të rremë.

“Z. Salianji është i vetmi person në Republikën e Shqipërisë i dënuar për këtë çështje, ku vetë Gjykata e Apelit ka pranuar që gjykimi në Shkallë të Parë është bazuar në një provë fotokopje, e cila nuk duhet të administrohej, e për më tepër që nuk i është nënshtruar një debati gjyqësor”- u shpreh Salianji.

Alizoti tha se PD kërkon lirimin e nën-kryetarit të grupit të saj, i cili sot ndodhet për më shumë se 1 muaj në burgjet me dënim të mirëfilltë politik.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›