Apeli i GJKKO e la në burg, Meta: “Desorosifikimi” i drejtësisë është emergjencë kombëtare

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për ta lënë në masën “arrest me burg”.
Meta nëpërmjet një postimi të publikuar në rrjetet sociale, shkruan se nga vendimi nuk kishte asnjë çudi dhe asnjë surprizë nga drejtësia me regji e Narkoshtetit.
“Afërmendsh u rikonfirmua sërish se gjykatat janë thjesht dhe vetëm vegla qorre nën urdhrin dhe diktatin e Narkoregjimit DumDuman”- shkruan Meta.
Sipas Metës, “desorosifikimi i drejtësisë është emergjencë kombëtare për çlirimin e shtetit dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe barazisë përpara ligjit për çdo qytetar”.
“Asnjë vendim gjykate dhe asnjë veprim i mjerë i Narkoregjimit nuk e ndal dot betejën e Partisë së Lirisë për çmontimin e Narkoshtetit, rikthimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor, të demokracisë e pluralizmit dhe vënien sa më parë në jetë të 5 Prioriteteve tona për 4 milion shqiptarë plus”- shkruan Meta.
/a.f/