E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulime të reja në Amanatia, arkeologët njxerrin në dritë segmente të mureve fortifikuese

Gërmimet arkeologjike të zhvilluara gjatë muajit maj kanë sjellë zbulime të reja të rëndësishme për historinë e qytetit antik të Amantias.

Arkeologët kanë evidentuar fortifikimin e pjesës së poshtme të qytetit, përfshirë edhe zonën e agorasë antike, e cila më herët mendohej se kishte qenë e pa fortifikuar.

Punimet, të realizuara në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, kanë nxjerre ne dritë vazhdimësinë e murit mbrojtës, si dhe mbetjet e ndërtesave që ndodheshin brenda tij.

“Gjurmët e shkatërrimit të këtyre strukturave datojnë në shekullin e pestë pas Krishtit dhe lidhen me periudha konfliktesh”, tha arkeologu  Kriledjan Çipa.

Një tjetër zbulim me interes është identifikimi i mundshëm i një kulle, pjesë e sistemit fortifikues të qytetit. Gërmimet e ardhshme pritet të konfirmojnë funksionin dhe përmasat e saj.

“Në pjesën lindore të sitit janë zbuluar edhe mbetjet e një ndërtese monumentale, e cila mendohet të ketë pasur funksione ekonomike ose të lidhura me transportin dhe tregtinë”, tha arkeologu.

Arkeologët planifikojnë zgjerimin e kërkimeve në zonën e akropolit dhe pranë stadiumit antik, ku dyshohet për praninë e strukturave të tjera publike. Sipas tyre, rezultatet e deritanishme po hedhin dritë mbi organizimin urban dhe sistemin mbrojtës të qytetit antik, ndërkohë që Amantia është një atraksion turistik për turistët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›