Zbulohen dy skema të reja piramidale online, policia e Fierit nis hetimet

Policia e Fierit ka nisur hetimet për dy skema të tjera piramidale online.
Këto skema janë të ngjashme me Xuex, firmën piramidale që u godit para disa ditësh nga policia.
Në operacionin e kaluar ndaj Xuex, u arrestuan 6 persona, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për gazetarin e Vizion Plus, Esido Barkaj se janë siguruar foto dhe materiale nga platformat e reja të mashtrimit, të cilat ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë.


Sipas informacioneve paraprake, një nga skemat rezulton tashmë e mbyllur, ndërsa tjetra ka qenë ende aktive deri para pak ditësh.
Hetimet janë përqendruar në zbulimin e lidhjeve të mundshme mes këtyre skemave dhe grupit të arrestuar më parë, ose nëse bëhet fjalë për një grup tjetër.
Shuma e investuar nga qytetarët e mashtruar niste nga 1 mijë dollar, por kishte qytetarë që kishin investuar edhe deri në 5 mijë dollarë./vizionplus.tv