Zbulohen parcela me 1200 bimë kanabis në Kavajë, 2 të arrestuar

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Policia në Kavajë ka zbuluar 8 miniparcela në kodrat e fshatit Lekaj në të cilat ishin kultivuar 1200 bimë narkotike kanabis. Në pranga kanë rënë dy persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia njoftoi sot se “në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lekaj”, u kapën në flagrancë 2 shtetas, të cilët kishin kultivuar 1200 bimë narkotike në 8 miniparcela në kodrat e fshatit Lekaj (pranë depos së ujit të këtij fshati)”.
“Konkretisht, u vunë në pranga shtetasit D. M., 59 vjeç, banues në fshatin Lekaj dhe A. H., 36 vjeç, banues në fshatin Donofrosë, Berat. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K. dhe E. K., për të cilët, për shkak të hetimit, nuk jepen të dhëna të tjera”, njoftoi policia.
Në kuadër të këtij operacionit sipas policisë u kryen kontrolle në disa banesa dhe ambiente, prej të cilave u sekuestruan 20000 euro, 1000 fara kanabis, 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale një pjesë e bimëve narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
Policia tha se po punon, për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. /j.p/