Zbulohet identiteti i personit të plagosur në Mamurras, dalin detaje të reja nga operacioni policor

Dalin detaje të reja nga operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit në aksin Mamurras–Laç, ku një përplasje me armë zjarri përfundoi me një të plagosur dhe një të arrestuar.
Sipas burimeve zyrtare, është identifikuar personi i plagosur si Leonard Dema, 23 vjeç, i lindur në Mamurras dhe i dënuar në Itali nga Gjykata e Trentos me 7 vite burg për tentativë vrasjeje.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një operacioni policor për kapjen e tij, pas informacioneve të siguruara mbi vendndodhjen. Në momentin e ndërhyrjes, Dema dyshohet se ka tentuar të përplasë efektivët me automjet, duke rrezikuar jetën e tyre.
Sipas njoftimit të policisë, edhe personi që e shoqëronte, Amadeo Fufi, 28 vjeç, ka nxjerrë armë zjarri dhe ua ka drejtuar efektivëve të policisë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, forcat operacionale kanë ndërhyrë duke plagosur Leonard Demën, i cili është transportuar në Spitali i Traumës, ku ndodhet nën kujdes mjekësor dhe jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Amadeo Fufi është arrestuar në flagrancë dhe ndaj tij është sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.