E Martë, 3 Nëntor 2026

Zbulohet laborator për falsifikimin e pasaportave të huaja në Tiranë, në pranga babë e bir

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshëm me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit është zbuluar në Tiranë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Identiteti”, policia vuri në pranga babë e bir, njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari.

Policia njoftoi sot se “Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”.

“Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe P. B., 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve”.

Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave.

“Nga hetimet ka rezultuar se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA”, njoftoi policia.

Policia bëri me dije se janë sekuestruar dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›