Zbulohet në Patos një subjekt ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të kontrabanduara, arrestohet pronari

Një subjekt ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të kontrabanduara është zbuluar në Patos. Policia njofton ka vënë në pranga pronarin e subjektit, 50-vjeçarin me inicialet Xh.H., banues po në Patos.
Gjatë kontrollit në subjekt, policia sekuestroi 4 automjete, pjesërisht të çmontuara, dhe pjesë automjetesh, të dyshuara të kontrabanduara nga shtete të ndryshme të Europës.
Nga verifikimet rezultoi se 50-vjeçari nuk ishte i pajisur me licencën përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/