E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet trafik armësh në portin e Durrësit: Land Rover-i nga Kosova, i mbushur me armë dhe fishekë

Një sasi armësh dhe municionesh është zbuluar nga Policia Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, gjatë kontrollit të një automjeti në një kontenier të bllokuar në port që nga dhjetori i vitit 2022.

Automjeti tip Land Rover, me targa kosovare, kishte hyrë në Shqipëri më 20 dhjetor 2022 nga pika kufitare e Morinës dhe ishte deklaruar si pjesë e një tranziti doganor nga Kosova drejt Republikës Demokratike të Kongos. Për shkak të mosparaqitjes së dërguesit për veprime doganore, kontenieri ishte mbajtur i mbyllur në sheshin e portit të Durrësit.

Më 4 qershor 2025, autoritetet doganore vendosën të hapnin dhe kontrollonin kontenierin. Gjatë inspektimit fizik, në brendësi të automjetit u gjetën: 2 armë automatike, 1 armë pistoletë, 1,580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 12 krehra fishekësh.

Pas hetimeve paraprake, është identifikuar si autor i dyshuar shtetasi kosovar Y. I., 24 vjeç, i cili është shpallur në kërkim për posedim dhe trafikim armësh dhe municionesh. Vijon puna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Armët e sekuestruara janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertiza teknike, balistike dhe daktiloskopike, me qëllim verifikimin e përfshirjes së tyre në ngjarje të mëparshme kriminale.

Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në bashkëpunim me autoritetet kufitare dhe ato kosovare, për të dokumentuar tërësisht rrjetin e mundshëm të trafikimit dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›