E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kërkesa për shtyrje të orarit të votimit në qarkun Vlorë, përfaqësuesit e opozitës largohen nga mbledhja e Komisionit Rregullator

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i thirrur për të shqyrtuar projektvendimin “Për shtyrjen e orarit të votimit për 55 qendra votimi në qarkun Vlorë”, nuk ka marrë asnjë vendim, pas largimit të anëtarëve të opozitës.

Sipas medieve mbledhja u zhvillua me kërkesë të anëtarit të Komisionit Rregullator, Arens Çela, dhe ishte parashikuar të mbahej në orën 17:00. Por menjëherë pas nisjes, anëtarët e zgjedhur nga radhët e opozitës u larguan nga salla, duke e bërë të pamundur vijimin e mbledhjes.

Përfaqësues i opozitës në Komisionin Rregullator, Franc Nuri në një prononcim për mediet u shpreh se ishin totalisht kundër kërkesës së PS. Sipas tij, për këtë u mbajt qëndrim zyrtar që dje, duke depozituar edhe kërkesën zyrtare në KQZ, si replikë dhe përgjigje ndaj kërkesës së ardhura nga PS për shtyrjen e orarit të votimit për tej orës 19:00.

Ai tha se orari i votimit në Vlorë nuk do të zgjatet përtej orës 19:00.

“Sa i takon thelbit të problemit, të ngritur nga PS për shkak të Giro D italia në qarkun Vlorë ku pati dhe një bllokim të qarkullimit, ne mendojmë se ky ishte një koordinim i gabuar i këtyre datave që e bëri këtë situatë. Një event sportiv sado madhor nuk mund t’i mbivendoset ditës së zgjedhjeve për më tepër që zgjedhjet janë njëherë në 4 vjet çka do të thotë që organizatorët të kishin marrë masat në çdo drejtim pa cenuar procesin zgjedhor”, tha Nuri.

Ndërkohë, anëtarët e zgjedhur nga mazhoranca vijuan të qëndronin në sallë, por pa kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Kryetari i mbledhjes, Ilirjan Muho, sqaroi se pa kuorum nuk mund të procedohej më tej.

“Nuk kemi kuorum për të shqyrtuar projektvendimin, mbledhja nuk mund të vazhdojë,” deklaroi përfaqësuesi i Komisionit Rregullator, Denar Biba.

Pas mosarritjes së një vendimi, orari i mbylljes në ato qendra mbetet i pandryshuar, sipas vendimit fillestar të KQZ-së. /r.e/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›