Zelensky: Putin e ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin e ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore dhe ka bërë thirrje për presion më të fortë ushtarak dhe ekonomik që ta ndalë atë.
Në një intervistë për BBC-në në Kiev, Zelensky u shpreh se “unë besoj se Putin e ka nisur tashmë. Çështja është se sa territor do të arrijë të marrë dhe si mund ta ndalojmë.”
Zelensky e hodhi poshtë idenë se dorëzimi i 20% të Donetskut që Rusia ende nuk e ka marrë plotësisht mund të jetë një kërkesë e arsyeshme për armëpushim, duke e quajtur një braktisje të pozicioneve ukrainase dhe të qindra mijëra njerëzve që jetojnë atje.
Sipas tij, një gjë e tillë do të ndante shoqërinë ukrainase dhe do t’i jepte Rusisë vetëm një pauzë të shkurtër për t’u riarmatosur.
Ai u zotua se Ukraina do t’i rikthejë të gjitha territoret e veta sipas kufijve të vitit 1991 dhe se kjo është vetëm çështje kohe.
Por shtoi se një kundërofensivë e madhe tani do të kushtonte miliona jetë për shkak të madhësisë së ushtrisë ruse dhe kostos së lartë njerëzore, duke pyetur: “Çfarë është toka pa njerëz? Sinqerisht, asgjë.”
Problemi kryesor, sipas Zelenskyt, mbetet mungesa e armëve, sidomos mbrojtja ajrore, që është sfida më e vështirë.
Ukraina varet nga partnerët perëndimorë, por ende nuk i janë dhënë licenca për të prodhuar vetë sisteme si Patriot apo raketa për sistemet që i ka tashmë.
Zelensky e paraqiti Ukrainën si pikën e parë kritike që po ndalon zgjerimin e Putinit dhe paralajmëroi se nëse ai nuk ndalet tani, rreziku do të jetë global.
/rtsh.al/