Zelensky u bën thirrje urgjente SHBA-ve: Mos i vononi dërgesat e raketave, çdo ditë ka rëndësi!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ngritur alarmin për një sulm të ri të mundshëm rus ndaj Ukrainës, duke zbuluar se inteligjenca ka siguruar informacione për përgatitjen e goditjeve të reja ndaj infrastrukturës jetike të vendit.
Sipas Zelenskyt, objektivat e mundshme të sulmeve janë sektori energjetik, urat mbi lumin Dniepër, si dhe infrastruktura civile.
“Shërbimet tona të inteligjencës kanë tashmë informacione se po përgatitet një sulm i ri, që do të synojë sektorin tonë energjetik, urat mbi Dniepër dhe infrastrukturën civile”, deklaroi presidenti ukrainas në një mesazh publik.
Ai theksoi se Forcat Ajrore dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës po përgatiten për të përballuar kërcënimin dhe për të mbrojtur popullsinë nga sulmet e mundshme.
Reklamë
Zelensky: Na duhen raketat Patriot, çdo ditë është vendimtare
Krahas paralajmërimit për ofensivën e mundshme ruse, Zelensky u ka drejtuar një apel të drejtpërdrejtë Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë, duke kërkuar përshpejtimin e furnizimit me raketa interceptuese për sistemet kundërajrore Patriot.
Sipas tij, çdo vonesë në dorëzimin e pajisjeve dhe municioneve ushtarake mund të ketë pasoja të rënda për mbrojtjen e Ukrainës.
“Na duhen raketa interceptuese për sistemet tona Patriot. Çdo marrëveshje ka rëndësi dhe çdo ditë ka vlerë kur bëhet fjalë për dërgesat”, u shpreh ai.
Më tej, presidenti ukrainas u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të mos shtyjnë furnizimin me municionet e nevojshme.
“U kërkojmë me këmbëngulje partnerëve tanë: Ju lutemi, mos i shtyni dërgesat”, apeloi Zelensky.
Paralajmërimi për qytetarët: Kujdes nga sulmet me raketa
Në përfundim të mesazhit të tij, kreu i shtetit ukrainas u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të marrin masa për sigurinë e tyre, për shkak të rrezikut nga sulmet e reja me raketa.
“Ju lutem, tregoni kujdes dhe qëndroni të sigurt, duke pasur parasysh kërcënimin e sulmeve me raketa. Lavdi Ukrainës!”, deklaroi ai.
Paralajmërimi i Zelenskyt vjen në një moment kur Kievi shpreh shqetësim për goditje të mundshme ndaj infrastrukturës kritike, ndërsa kërkon forcimin e mbrojtjes ajrore për të përballuar sulmet e pritshme ruse.