Zgjedhjet bashkiake në Himarë, pas ankimit të opozitës KAS vendos të hapë kutitë e materialeve zgjedhore

KAS ka vendosur hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë. Kjo pas ankimit të opozitës për parregullsi.
Hapjen e kutive do të bëhet për 36 qendra votimi.
Seanca e radhës do të jetë të hënën, në orën 11:00, ndërsa relatori Koli Bele tha se të hënën do merret vendimi.
Nga materialet zgjedhore në kutitë e votimit, opozita kërkon proces-verbalin e mbylljes, listën e zgjedhësve të QV, librin e protokollit të mbledhjeve dhe regjistrin e veçantë. Opozita ka 3 ditë kohë që t’i shqyrtojë.
Opozita kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 4 gushtit në bashkinë e Himarës me argumentin kryesor se më shumë se 6000 qytetarë nuk mundën të votojnë për shkak të skadimit të ID. Por ajo u ankua edhe për përfshirjen sipas saj të makinerisë shtetërore në zgjedhje.
Zgjedhjet në Himnarë u mbajtën pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të zgjedhur nga radhët e opozitës në vitin 2023, i cili më vonë u dënua për blerje votash dhe iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Vangjel Tavo mori 5022 vota ose 58.62 % të totalit dhe Petro Gjikuria 3545 vota, duke siguruar një fitore të qartë.
Rezultati i zgjedhjeve në Himarë thellon kontrollin e Partisë Socialiste në pushtetin vendor dhe shanset e saj për një mandat të katërt, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, çka do të ishte diçka e paprecedentë.
/ rtsh.al /