E Martë, 3 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 Majit, Partia e Lirisë kërkon rinumërimin e votave në bashkinë Kavajë

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi depozitoi sot një kërkesë zyrtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku kërkoi rinumërimin e të gjitha fletëve të votimit në bashkinë Kavajë.

Blushi u shpreh se ka dyshime të arsyeshme për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave.

“Kërkesa jonë është në funksion të transparencës dhe legjitimitetit të rezultatit përfundimtar”, u shpreh ai, ndërsa publikoi kërkesën e depozituar në KQZ.

“Në zbatim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe në funksion të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor, ju drejtohemi me këtë kërkesë për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e fletëve të votimit për të gjitha njësitë administrative që përbëjnë zonën zgjedhore të Bashkisë Kavajë”, thuhet në kërkesën e depozituar në KQZ.

Konkretisht kërkohet rinumërim për njësitë administrative: Kavajë, Golem, Synej, Helmas, Luz i Vogël.

“Kërkesa jonë mbështetet në dyshime të arsyeshme mbi parregullsi gjatë procesit të numërimit dhe synon garantimin e transparencës dhe legjitimitetit të rezultatit përfundimtar”, thuhet në këtë kërkesë.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›