Zgjedhjet e 9 nëntorit – KQZ miraton kandidatët, lë jashtë Gjergj Nikën në Vlorë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zyrtarizuar kandidatët për bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik për zgjedhjet e 9 nëntorit.
Një nga veçoritë kryesore të këtij procesi zgjedhor është prezenca e shtuar e kandidatëve të pavarur, të cilët në disa bashki do të kenë mbështetjen e opozitës, duke sfiduar kandidatët e propozuar nga Partia Socialiste.
Sipas të dhënave të KQZ-së, trembëdhjetë kandidatë kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës për të marrë pjesë në garën zgjedhore. Kandidatët e pavarur kanë përfunduar tashmë procedurat ligjore, përfshirë edhe dorëzimin e firmave të nevojshme të mbështetjes nga qytetarët.
Në bashkinë e Vlorës, Partia Socialiste ka propozuar Brunilda Mersinin, ndërsa Partia Demokratike ka vendosur të mbështesë kandidatin e pavarur Dionis Sota. Në Berat, Partia Socialiste garon me Ervin Cecën, ndërsa opozita mbështet kandidatin e pavarur Pavlo Shkarpa.
Në Cërrik, Amarildo Hoxha garon si kandidat i pavarur me mbështetjen e opozitës, ndërsa Eligert Hima do të garojë gjithashtu si i pavarur nën siglën e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Socialistët kanë propozuar kandidatin Florenc Doka.
Ndërkohë, në Mat, Partia Socialiste ka propozuar Altin Bojnin, ndërsa Suzana Pasha, kryetare e Gruas Socialiste, ka shpallur kandidaturën e saj si e pavarur.
Ndërsa në Tepelenë, Gramoz Sako garon për PS, ndërsa opozita mbështet kandidatin e pavarur Gabriel Guma.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos regjistrojë kandidaturën e Gjergji Nikës, anëtar i Këshillit Bashkiak të Vlorës, për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së, ku kryetari Ilirjan Celibashi sqaroi se Nika nuk kishte respektuar procedurën ligjore të parashikuar për kandidatë të pavarur.
Sipas Celibashit, kandidatura e Nikës duhej të ishte propozuar nga një Komitet Nismëtar dhe të shoqërohej me dokumentacionin përkatës, përfshirë mbledhjen e firmave të mbështetjes nga qytetarët.
/rtsh.al/