Zgjedhjet e pjesshme vendore, KQZ nis përgatitjet, kandidatët duhet të shpallen brenda 18 ditëve

Të dielën më 9 nëntor qytetarët e Tiranës, Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit do të zgjedhin kryebashkiakun e tyre në zgjedhjet e pjesshme vendore.
Sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, partitë politike kanë 10 ditë kohë nga shpallja e dekretit të Presidentit për t’u regjistruar në KQZ, koalicionet brenda 14 ditësh, ndërsa kandidatët duhet të shpallen jo më vonë se 18 ditë nga data e dekretit. Pas këtyre afateve nis edhe fushata zgjedhore, e cila zgjat dy javë.
Nga ana e Partisë Socialiste, kandidatja për Tiranën, Ogerta Manastirliu, ka nisur takimet me qytetarët.
Ndërsa opozita vijon negociatat për të përzgjedhur kandidatin, me emrat më të përmendur deri më tani Edlira Çepani dhe Ermal Hasimja.
KQZ ka nisur nga puna, ndërsa në ditët në vijim priten mbledhjet e Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për vijimin e përgatitjeve dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
/RTSH/