E Martë, 3 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Himarë,-“Nuk më lënë të votoj”, qytetarja kërkon të votojë me kartë të skaduar

Një qytetare ka tentuar të votojë me kartë të skaduar në qendrën e votimit në Himarë fshat për zgjedhjet që mbahen për kreun e ri të Bashkisë së Himarës.

Duke folur për mediat, qytetarja shprehet se ajo kërkon të votojë pavarësisht se karta e saj e identifikimit i ka skaduar.

Ajo thotë se asaj nuk mund t’i mohohet e drejta e votimit për zgjedhjet e sotme.

“Më kishte skaduar karta dhe doja të votoja por nuk më la kryetari (kryetari i komisionit). E drejta e votës nuk humbet kur skadon karta. Kudo në botë mund ta humbas kartën sot, do shkoj në polici do më japë një letër dhe do të votoj. Këtu më thonë që nuk mund të votoj dhe i them të më japësh një rregullore. Më nxori kuponin dhe nuk më la të votoj. A mund të humbas të drejtën e votës kur më skadon karta? Po ta humbas kartën nuk do të votoj?”, thotë qytetarja.

Ndërkaq më herët këtë problematikë e bëri të ditur edhe kryebashkiaku në detyrë, Arqile Bollano, i cili shpjegoi se ka persona që duan të votojnë me karta të skaduara por një gjë të tillë e ndalon ligji.

Në një prononcim për mediat, Bollano theksoi se procesi i votimit në qendrën përkatëse është pezulluar ndërsa shtoi se votimi do të vijojë kur të zgjidhet ngërçi i krijuar.

“Mesa vumë re, këtu janë shumë  persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë të votojnë me kartë, në një moment që ligji nuk e lejon. Nga kjo çështje është krijuar konfuzion ku kemi lajmëruar KQZ-në për të zgjidhur këtë ngërç.

Për momentin është pezulluar votimi dhe presim zgjidhjen në vijim. Ligji e thotë qartë se me karta të skaduara nuk lejohet asnjë person, s’ka rëndësi se të kujt janë. Edhe pasaporta duhet të mos ketë skaduar si afat dhe të jetë e rregullt. Procesi është pezulluar derisa të zgjidhet çështja, dhe më pas të vijojë votimi normalisht”, u shpreh Bollano.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›