E Martë, 3 Nëntor 2026

Himara voton sot për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë

Himariotët i janë drejtuar këtë të diel (4 gusht) kutive të votimit për zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë së tyre, mes kandidatëve Vangjel Tavo mga mazhoranca dhe Petro Gjikuria nga opozita.

Në bashkinë jugore janë rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë vote, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre nga ora 07:00 deri në 19:00.

Sakaq dy ditë më parë Komisioni Qendror Zgjedhor mundësoi mbërritjen e materialeve zgjedhore. 

Po ashtu, Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë Himarë.

Këto zgjedhje vijnë pas arrestimit të Fredi Belerit, e më pas edhe të kryetarit të detyrë Jorgo Goro.

Votimi do të kryhet nëpërmjet identifikimit elektronik të zgjedhësve, ndaj për këtë proces janë dërguar edhe pajisjet përkatëse me kamerat monitoruese.

Ora 7:40/ Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e Policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të Policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisionet përkatëse.

Punonjësit e Policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e Policisë, ku do të qëndrojnë të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e Policisë.

Ora 8:40/ Gazetarja Sonila Agostini në një lidhje të drejtpërdrejtë raportoi se ka nisur votimi  ndërsa theksoi se nuk është shënuar asnjë problematikë.

Bollano: Në Himarë fshat pezullohet procesi, duan të votojnë me karta të skaduara

Kryebashkiaku në detyrë Arqile Bollano tregon se si në Himarë fshat persona me karta identifikimi të skaduar kanë tentuar të votojnë në qendrën përkatëse të votimit teksa sot mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri midis kandidatit të PS-së Vangjel Tavo dhe atij të PD-së, Petro Gjikuria.

Në një prononcim për mediat, Bollano theksoi se procesi i votimit në qendrën përkatëse është pezulluar ndërsa shtoi se votimi do të vijojë kur të zgjidhet ngërrci i krijuar.

“Mesa vumë re, këtu janë shumë  persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë të votojnë me kartë, në një moment që ligji nuk e lejon. Nga kjo çështje është krijuar konfuzion ku kemi lajmëruar KQZ-në për të zgjidhur këtë ngërç.

Për momentin është pezulluar votimi dhe presim zgjidhjen në vijim. Ligji e thotë qartë se me karta të skaduara nuk lejohet asnjë person, s’ka rëndësi se të kujt janë. Edhe pasaporta duhet të mos ketë skaduar si afat dhe të jetë e rregullt. Procesi është pezulluar derisa të zgjidhet çështja, dhe më pas të vijojë votimi normalisht”, u shpreh Bollano.

Në Himarë 23 mijë qytetarë i drejtohen përgjatë ditës së sotme në 36 qendra votimi ku do të aplikohet identifikimi dhe votimi elektronik.

Në zgjedhjet për kreun e ri të Bashkisë po aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera.

Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave ku do të mësohet se kush do të jetë kreu i ri i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo apo Petro Gjikuria.

Celibashi: Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shprehet se të gjithë qendrat e votimit janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor dhe se procesi po ecën normalisht dhe pa problematika.

“Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.

Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës“, shkruan Celibashi.

KQZ: Deri në orën 09:00 kanë votuar 1418 votues

Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. KQZ raporton se pjesëmarrja e numrit të votuesve deri në orën 09:00 është 6.66%, ose kanë votuar 1418 votues nga 21298. 

Zgjedhjet në Himarë, Pelinku: Problematikë, kartat e identitetit të skaduara

Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve Lealba Pelinku që po mbikqyr procesin në Himarë tha në një intervistë për RTSH se pajisjet elekronike të identifikimit po funksionojnë pa asnjë problem.

Sipas saj, të vetmet problematika që janë hasur kanë qënë debatet mes komisionerëve në disa qëndra votimi në lidhje me vlefshmërinë e afateve të kartave të indentitetit të votuesve.

“Baza materiale nuk ka pasur probleme, shpërndarja ka qenë e rregullt. Përsa i përket pajisjes së indentifikimit funksionon në rregull në të gjitha qendrat e votimit. Vetëm tre qendra të votimin janë problem pasi për mungesë të valëve nu arrijën të transmetopjnë të dhënat, por KQZ do t’i ofrojë publikut informacione lidhur me pjesëmarrjen. Problematikat lidhen edhe me vlefshmërinë e dokumentit të identifikimit”, tha Pelinku.

Qytetarët me karta ID të skaduara s’lejohen të votojnë, KQZ: S’jemi organi kompetent për shtyrjen e afateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar lidhur me problematikën në Himarë ku qytetarët me karta ID të skaduara nuk lejohet të votojnë për kryebashkiak.

Në një reagim KQZ sqaron se nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sjell në vëmendje se nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit.

Për zgjedhësit mbi 75 vjeç vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit është pa afat. Kështu përcaktohet në ligjit nr. 89/2020, datë 09/07/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar”, shprehet në reagim KQZ.

Një incident është shënuar në qendrën 1 Maji duke sjellë ndërprerjen e procesit të votimit në këtë qendër. Gazetarja e RTSH-së, Sonila Agostini  raporton se shkak është bërë prania e personave të paautorizuar për të hyrë në qendrën e votimit. Pas largimit të tyre procesi pritet të rinisë.

Zgjedhjet në Himarë, 2 kandidatët hedhin votën: Të fitojë më i miri

Dy kandidatët për kryetar bashkie në Himarë, Petraq Gjikuria dhe Vangjel Tavo kanë hedhur votën në kutinë e votimit.

Pas votimit, Kandidati i PS për bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo i bëri thirrje banorëve të bashkisë së Himarës të votojnë.

“Sot  e kanë fjalën himariotët për të votuar. I bëj thirrje të gjithë banorëve të Himarës të dalin masivisht në votime, të votojnë projektin më të mirë, alternativën më të mirë për Himarën dhe për himariotët kudo që ndodhen”, tha Tavo.

Ndërsa lidhur situatën në një qendër votimi në Himarë fshat ku disa qytetarë me ID të skaduara nuk u lejuan të votojnë, Tavo tha se nuk është çështja e tij, por e ligjit.

Lidhur me moslejimin e votuesme më karta ID të skaduara, nga ana e tij, Gjikuria pas votës u shpreh se sipas tij trajtimi i qytetarëve ishte i diferencuar pasi vitin e kaluar kjo problematikë u anashkalua”, tha Gjikuria.

“Vitin e kaluar u lejuan me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin. Ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve ishte i diferencuar. Socialistëve u jepnin karta brenda 24 orëve kurse të anës tjetër u thoshin për dy javë”, u shpreh ndërsa thekson se kjo nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

Pjesëmarrja e votuesve deri në orën 11:00 në zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë së Himarës është 18.08 përqind. Sipas raportimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë votuar 4171 votues nga 23074  zgjedhës në listën e qendrave të votimit të raportuara.

Beleri mesazh nga burgu në gjuhën greke: Sot lufta e fundit për demokraci

Fredi Beleri ka reaguar nga burgu për zgjedhjet e pjesshme që po mbahen në Himarë. Në një mesazh në gjuhën greke, Beleri shkruan se sot është beteja për demokraci ndërsa ka shprehur mbështetjen ndaj kandidatit Petro Gjikuria.

Beleri shkruan se Gjikuria është njeriu i duhur për të drejtuar bashkinë e Himarës përballë kandidatit të mazhorancës, Vangjel Tavo.

“Vendvotimet janë të hapura! Zemra ime është sot në Himarë, ku pjesëtarët e minoritetit etnik grek po bëjnë luftën përfundimtare për Demokraci dhe të drejtat e tyre.

Nga qelia e burgut shqiptar ku po qëndroj 425 ditë, mendimet e mia gjithë ditën do të jenë me vëllezërit e mi dhe të gjithë ata që kuptojnë se shteti i Ligjit dhe Demokracia janë të panegociueshme.

Me të gjithë ata që kanë shprehur simpatinë e tyre dhe kanë qëndruar pranë meje përmes kësaj sprove.

Me të gjithë ata që nuk u përkulën para metodave të grushtit të shtetit dhe logjikës para-demokratike dhe sot do ta vërtetojnë edhe një herë.

Suksese nga zemra Petro Gjikuria. Ai është i denjë për Himarë. Jam i sigurt se ai do të udhëheqë bashkinë. Dhe një apel i fundit: shkoni në votime. Historinë e shkruajnë ata që marrin pjesë në votime. Votim të mbarë atëherë!”, shkruan nga burgu Fredi Beleri.

S’lejohen të votojnë me karta të skaduara, Celibashi: Qytetarët dhe partitë të merrnin masa

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka deklaruar se qytetarët duhet të kishin marrë masa për të pasur një mjet identifikimi të vlefshëm për të votuar në zgjedhjet e pjesshme në Himarë, ndryshe nga sa ka ndodhur me disa prej tyre që nuk votojnë dot për shkak se karta e tyre ka skaduar.

Në një prononcim për mediat nga ambientet e KQZ-së, Celibashi tha se nuk mund të shpjegojë faktin që qeveria nuk ka nxjerrë një vendim për shtyrjen e vlefshmërisë së kartave të identitetit apo pasaportave.

Për këtë arsye, sipas tij, qytetarët duhet të kishin marrë masa më parë për të pasur një mjet identifikimi me vete në mënyrë që ushtronin të drejtën e votës. Po ashtu, sipas Celibashit edhe partitë politike duhet të kujdeseshin në këtë drejtim.

“Se pse për këto zgjedhje nuk u mor një vendim nga ana e Këshillit të Ministrave nëpërmjet një akti normativ këtë nuk mund ta them. E kemi bërë këtë komunikim me partitë politike sa herë ka pasur një çështje, nuk e kemi pasur një komunikim të tillë zyrtar nga partitë politike. E kemi në mënyrë informale ditët e fundit për hir së të vërtetës, por në fund të fundit mbetet një çështje që është jashtë sferës së përgatitjes dhe institucionit të vëmendjes që duhet të ketë KQZ. Sot nuk kemi pasur komunikim me përfaqësues të qeverisë apo Ministrisë së Brendshme se nuk është se do të kishte ndonjë zgjidhje ditën e sotme. Kjo çështje duhet të ishte zgjidhur më parë. Nuk hezitojmë të themi që është një çështje që lidhet me interesin e vetë votuesve për të disponuar një dokument identifikimit”, u shpreh Celibashi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›