E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet parlamentare në Serbi, përsëritet votimi në 53 qendra ku pati parregullsi

Votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi po përsëritet në 53 qendra votimi, ku procesi ka nisur në orën 07:00 dhe do të vijojë deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë gjithsej 24.438 qytetarë.

Votimi po përsëritet në 31 qendra, ku komisionet zgjedhore vendore kanë konstatuar se rezultatet nuk mund të përcaktohen, si dhe në 22 qendra të tjera, ku procesi ishte anuluar për shkak të parregullsive.

Në Zemun, qendra e votimit numër 1, në shkollën fillore “Svetozar Miletić”, u hap në orën 07:00. Disa qytetarë kishin mbërritur që në mëngjes për të votuar. Në këtë qendër kanë të drejtë vote 1.364 persona. Votimi u anulua pasi numri i qytetarëve që kishin firmosur se kishin votuar në zgjedhjet e javës së kaluar nuk përputhej me numrin e fletëve të votimit.

Ndërkohë, në Novi Pazar, votimi po përsëritet vetëm në qendrën numër 81, ku janë regjistruar 1.838 votues. Kryetari i komisionit zgjedhor, Veljko Radosavljević, deklaroi për agjencinë Tanjug se procesi po zhvillohet normalisht.

Sipas tij, deri në orën 09:00 kishin votuar 47 qytetarë, një shifër më e ulët krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 25 tetorit. Ai shpjegoi se votimi në këtë qendër po përsëritet për shkak të mungesës së fletës së kontrollit, e cila kishte humbur gjatë transportit nga qendra e votimit drejt ambienteve të Komisionit Zgjedhor të Qytetit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u zhvilluan më 25 tetor, me pjesëmarrjen e 18 listave zgjedhore, nëntë prej të cilave përfaqësonin pakicat kombëtare.

Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, pas numërimit të 8.338 nga 8.392 qendrat e votimit, “Lista Studentore” kryesonte me 53,04% të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar” kishte marrë 38,97%.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›