E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjidhet zv.presidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Xhaçka: Mesazh i fortë besimi për Shqipërinë


TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka u zgjodh sot në unanimitet, si zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Xhaçka u shpreh se “kjo nuk është thjesht një detyrë e re, por është një mesazh i fortë besimi se Shqipëria ka zë, peshë dhe vizion”.

“Kjo detyrë sjell përgjegjësi të qarta: të forcoj zërin e vendit tim në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”, u shpreh Xhaçka.

Xhaçka siguroi se do të angazhohet me përkushtim për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit.

“Do të angazhohem me përkushtim për të qëndruar pranë Ukrainës në përpjekjet për drejtësi dhe paqe, si dhe për të nxitur reformat që e bëjnë Shqipërinë një partnere gjithnjë e më të besueshme”, siguroi ajo.

Asambleja Parlamentare është një nga dy organet kryesore statutore të Këshillit të Evropës dhe përfaqëson tendencat kryesore politike në shtetet e tij anëtare. Asambleja konsiderohet si forca dinamike në shtrirjen e bashkëpunimit evropian për të gjitha shtetet demokratike në mbarë Evropën.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ishte e para asamble evropiane e krijuar në historinë e kontinentit tonë. Me delegacione të 46 parlamenteve kombëtare, ajo është asambleja evropiane me bazën më të gjerë.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›