Zhdukja e 34-vjeçarit në Tiranë/ Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e pengmarrjes, arrestohet bashkëpunëtori i tij

Policia e Tiranës ka intensifikuar hetimet për gjetjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili u denoncua si i humbur nga familjarët e tij më 5 qershor 2026, pasi kishin humbur çdo kontakt me të.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A.Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin, ndërsa është arrestuar një 25-vjeçar për përkrahjen e autorit të dyshuar.
Policia ka shpallur në kërkim 41-vjeçarin, teksa vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Sipas hetimeve paraprake, policia ka arritur të gjejë motomjetin e 34-vjeçarit, si dhe të identifikojë ambientin ku ai dyshohet se ka hyrë para se të humbte kontaktet me familjarët. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se nga ky ambient ka dalë autori i dyshuar, i cili mendohet se mund ta ketë marrë me vete 34-vjeçarin duke e transportuar me automjet.
Forcat e Policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në objektin ku dyshohet se është mbajtur peng i riu, si dhe në disa ambiente të tjera dhe zona përreth, por deri më tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se autori i dyshuar ka lëvizur motomjetin e viktimës së mundshme nga vendi ku ishte parkuar fillimisht, në përpjekje për të fshehur gjurmët. Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
/rtsh.al/