Zhupa: Projektvendimi i UNESCO-s për shpalljen pasuri në rrezik të liqenit të Ohrit, shuplaka për qeverinë

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa deklaroi sot se Liqeni i Ohrit do të inskriptohet në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Sipas Zhupës, ky është një regres në mbrojtjen e pasurive trashëgimi botërore.
“Në projektvendimin për Liqenin e Ohrit, që po diskutohet në Sesionin e 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, UNESCO pasi e kishte përsëritur disa herë nga viti 2020 shqetësimin e saj më të thellë ndaj miratimit të Parkut Ujor Drilon – Tushemisht dhe i kishte kërkuar qeverisë që të ndalë menjëherë zbatimin e projekt ka dalë me qëndrimin se: Liqeni i Ohrit do të inskriptohet në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Një lajm shumë i keq për Shqipërinë, një regres në mbrojtjen e pasurive trashëgimi botërore. Çdo vendim i mëparshëm i UNESCO ka rënë vesh të shurdhët dhe në syrin qorr të qeverisë dhe klientëve”, tha Zhupa.
Zhupa theksoi se “kjo situatë vjen nga shtimi i planeve ndërtimore të qeverisë falë ndryshimit të ligjit të zonave të mbrojtura dhe dorëzimi pa kushte tek AADF, koncesionari i Butrintit, të cilët kanë 7 nga 15 nënprojektet e Parkut Ujor, përfshirë parkingje, dhe natyrisht Qendrën e Vizitorëve”.
Sipas Zhupës, “UNESCO pasi shpreh keqardhje të thellë për ndërtimin e një kompleksi pesëkatësh në Tushemisht dhe ngritjen e zonave zhvillimore pranë Tushemishtit, Burimeve të Drilonit dhe Gadishullit të Linit pa vlerësime të përshtatshme të ndikimit të tyre në mjedis”.
“Ata kërkojnë nga qeveria shqiptare në mënyrë të qartë dhe të prerë që: Të rishikojë dhe reduktojë zhvillimin në Tushemisht në përputhje me kërkesat për ruajtjen e Vlerave të Jashtëzakonshme Universale; Të ndryshojë Planin e Përgjithshëm Vendor të Pogradecit për të përjashtuar mundësitë e urbanizimit në zona ekologjikisht të ndjeshme, përfshirë ato midis Tushemishtit dhe Burimeve të Drilonit, si dhe në Gadishullin e Linit; Të zbatojë në mënyrë rigoroze masat rregullatore për mbrojtjen e VJU të pasurisë”, u shpreh Zhupa.
Zhupa theksoi se kërkohet që “qeveria shqiptare të heqë dorë nga ndërtimet në zonat e mbrojtura, të mos betonizojë Pogradecin, Drilonin, Tushemishtin, Linin dhe çdo gjë që i del para, sepse kjo nuk i shërben as vendit dhe as mbrojtjes së pasurisë me vlera të jashtëzakonshme universale”.
“UNESCO kërkon ata që e kemi kërkuar edhe ne dhe vazhdojmë kërkojmë dhe me betejën për ligjin e zonave të mbrojtura në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht që mos jemi para situatave të tilla ku rrezikojmë mos ekzistencën më të pasurive me vlera të jashtëzakonshme universale dhe ato shpallen në rrezik”, u shpreh Zhupa.
Zhupa tha se “si kryetare e komisionit përgjegjës për kulturën kërkoj respektimin dhe zbatimin një më një të rekomandimeve të UNESCO-s, pa asnjë vonesë. Dhe mbështes UNESCO në monitorimin që i bën Shqipërisë për mbrojtjen e pasurive kombëtare të inskriptuara në të”.
“Në peshore janë dollarët e AADF, fitimet e oligarkëve dhe shkeljet e përfitimet e qeverisë, dhe nga ana tjetër është interesi publik dhe ruajta e trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe të VJU-ve të pacenuara. Qytetarët dhe ne zgjedhim të dytën dhe do të qëndrojmë deri në fund për mbrojtjen e tyre”, tha Zhupa.
Zhupa i bëri thirrje publike “Prokurorisë të hapë menjëherë çështjen penale për të vendosur para përgjegjësisë ligjore të gjithë aktorët qeveritarë, lokalë apo të AADF-së, që qëllimshëm kanë shkelur rekomandimet e UNESCO-s dhe ligjet e shtetit shqiptar dhe po shkatërrojnë me vetëdije trashëgiminë kulturore-natyrore shqiptare”.
/m.q//a.f//r.e/